Një psikopati e paprecedent në histori që nuk po i vihet dot fre
Përpjekjet e kolonëve izraelitë për të kontrabanduar kafshë me qëllim sakrifikimin e tyre në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa, janë rritur ndjeshëm gjatë festës së Pashkës hebraike.
Ky fenomen ka nxitur shqetësime të mëdha për një përpjekje të hapur për të pushtuar një nga vendet më të shenjta të Islamit, duke shfrytëzuar situatën e tensionuar të luftës në rajon.
Sipas Guvernatorit të Jeruzalemit, vetëm së fundmi janë regjistruar të paktën shtatë tentativa për të futur dhi dhe dele brenda Qytetit të Vjetër.
Autoritetet izraelite e kishin mbajtur kompleksin të mbyllur për dyzet ditë, duke përfshirë periudhën e Ramazanit, me arsyetimin e luftës kundër Iranit. Megjithatë, pas rihapjes, ndërhyrjet e kolonëve ekstremistë janë bërë më të shpeshta.
Ismail Patel, kryetar i organizatës “Miqtë e Al-Aksa”, në një prononcim për portalin The New Arab, theksoi se këto veprime nuk janë thjesht provokime fetare, por një mjet politik për të pretenduar pronësinë mbi vendin e shenjtë.
Sipas tij, synimi përfundimtar i këtyre grupeve është shkatërrimi i xhamisë për të ndërtuar mbi të “Tempullin e Tretë”.
Kjo lëvizje bazohet në ideologjinë e grupeve si “Instituti i Tempullit”, të cilët po punojnë prej dekadash për rikrijimin e riteve antike, përfshirë rritjen e lopëve të kuqe për flijim.
Palestinezët paralajmërojnë se po ndodh një “judaizim” i vazhdueshëm i xhamisë Al-Aksa, ku status quo-ja ligjore, që ndalon adhurimin hebraik brenda kompleksit, po shkelet hapur.
Për më tepër, lufta aktuale po shërben si një mbulesë për këto veprime. Siç raporton The New Arab, lufta kundër Iranit dhe frontet në Liban e Gazë, e kanë shpërndarë vëmendjen ndërkombëtare, duke u lejuar kolonëve të shfrytëzojnë masat ushtarake për të forcuar kontrollin e tyre.
Patel shpjegon se caktimi i orareve të hapjes nga Komanda e Frontit të Brendshëm Izraelit është një uzurpim i pastër i autoritetit të Vakëfit Islamik, i cili ka juridiksionin ekskluziv mbi vendin.
Përveç provokimeve fizike, po përdoret edhe teknologjia moderne. Grupet ekstremiste po shpërndajnë imazhe të gjeneruara nga inteligjenca artificiale që tregojnë rituale hebraike brenda xhamisë, me qëllim normalizimin e këtyre skenave në syrin e publikut.
Në analizën e tij për The New Arab, Patel paralajmëron se çdo lëshim i vogël në qasjen e kolonëve, shihet prej tyre si një konfirmim se qëllimi i tyre përfundimtar është i arritshëm.
Ndërsa policia izraelite ka kryer disa arrestime të përkohshme, kritikët argumentojnë se këto masa janë sipërfaqësore dhe nuk e ndalin strategjinë afatgjatë të pushtimit gradual të xhamisë, çka rrezikon të ndezë trazira masive në të gjithë botën myslimane. /tesheshi


























