Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës pretendojnë se pjesëmarrja në një seancë parlamentare apo në një votim në Kuvend është pjesë e ushtrimit të lirë të mandatit parlamentar të deputetit dhe nuk mund të imponohet përmes ndonjë detyrimi kushtetues apo përmes ndërhyrjes së Gjykatës Kushtetuese.
Ky pretendim është shprehur përmes komenteve që grupi parlamentar i kësaj partie i ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese në rastin e ngritur nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu dhe 10 deputetë të tjerë, lidhur me çështjen e vlerësimit të kushtetutshmërisë për procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës dhe mungesën e kuorumit në seancën e mbajtur më 05.03.2026.
Të përfaqësuar nga Përparim Gruda, deputetët e PDK-së vlerësojnë se kërkesa e parashtruar nga kryetarja e Kuvendit dhe deputetë e tjerë, është juridikisht e pabazuar dhe si e tillë duhet “të shpallet e papranueshme.”
Në komentet e PDK-së të dorëzuara në Gjykatë bëhet e ditur se Haxhiu dhe të tjerët kanë kërkuar që të vendoset një masë e përkohshme për pezullimin e afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.
“Parashtruesit pretendojnë se mosprania e disa deputetëve në seancën për zgjedhjen e Presidentit përbën shkelje të Kushtetutës dhe kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese të konstatojë detyrimin e deputetëve për të marrë pjesë në votim dhe për të mos penguar krijimin e kuorumit”, shpjegohet në komentet e PDK-së, të cilat Kallxo.com i ka siguruar nga një deputet i kësaj partie.
Pretendimet e parashtruesve të kërkesës, PDK i cilëson si të pambështetura juridikisht pasi “Gjykata nuk mundet t’i detyrojë deputetët të veprojnë në mënyrë të caktuar në ushtrimin e funksionit parlamentar”.
“Kushtetuta në nenin 70 përcakton se deputetët janë përfaqësues të popullit dhe e ushtrojnë mandatin e tyre në mënyrë të lirë, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Nga kjo dispozitë rrjedh parimi themelor i mandatit të lirë parlamentar, sipas të cilit deputeti nuk mund të detyrohet juridikisht të veprojë në një mënyrë të caktuar në ushtrimin e funksionit të tij parlamentar”– thuhet në komentet e PDK-së drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
PDK ka përfshirë në komente edhe opinionin e Komisionit të Venecias mbi një amendament të Kushtetutës rumune ku ishte propozuar që t’u merret mandati deputetëve të cilët nuk qëndrojnë në seanca.
“Komisioni i Venecias, në Opinionin CDL-AD(2002)012, duke analizuar një amendament të propozuar në Kushtetutën rumune, i cili parashihte që në rast se deputetët mungojnë në seanca t’u merret mandati, ka deklaruar: ‘Hapi i mëtejshëm për të parashikuar largimin nga detyra është qartazi i tepruar dhe madje i pazbatueshëm. Sanksioni i vetëm legjitim që mund të pësojë një përfaqësues i zgjedhur duhet të vijë nga elektorati. Është elektorati ai që mund të mos e rizgjedhë anëtarin pas përfundimit të mandatit, nëse ai nuk e ka ushtruar me ndërgjegje detyrën e tij. Në një demokraci, përfaqësuesit e zgjedhur kanë autonomi në mënyrën se si e ushtrojnë mandatin e tyre. Veprimi politik mund të ndjekë rrugë të ndryshme dhe pjesëmarrja në seanca nuk është forma e vetme e veprimit politik.” Po ashtu, në Opinionin CDL-AD(2024)040, Komisioni i Venecias ka deklaruar se: “(…) nuk mund të ketë asnjë përjashtim nga parimi themelor i demokracisë përfaqësuese, sipas të cilit mandati politik i deputetëve është i lirë dhe i parevokueshëm, dhe deputetët nuk mund të detyrohen ligjërisht të votojnë në një mënyrë të caktuar.’”
Bazuar mbi qëndrimet e Komisionit të Venecias, PDK thekson se pjesëmarrja apo mospjesëmarrja mbetet në vullnetin e deputetëve se ata e ushtrojnë mandatin dhe “nuk mund të shndërrohet në një detyrim kushtetues përmes interpretimit gjyqësor.”
Rrjedhimisht, deputetët e PDK-së e vlerësojnë “juridikisht të pabazuar” dhe “pa objekt” në përmbajtje kërkesën e Albulena Haxhiut dhe 10 deputetëve tjerë.
“Megjithatë, kërkesa për një masë të tillë është juridikisht e pabazuar, për arsye se ajo është paraqitur më 5 mars 2026, pikërisht në ditën kur ka përfunduar afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës sipas nenit 86 paragrafi 2 të Kushtetutës. Masa e përkohshme mund të ketë efekt vetëm ndaj një situate juridike që është ende në zhvillim dhe ndaj një afati që është ende në rrjedhje. Në rastin konkret, afati kushtetues kishte përfunduar në momentin e paraqitjes së kërkesës.”
Menjëherë pas dështimit të seancës për zgjedhjen e Presidentit më 05.03.2026, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu iu drejtua Gjykatës Kushtetuese në lidhje me procedurën për zgjedhjen e Presidentit.
Haxhiu bëri të ditur se kanë kërkuar që Kushtetuesja të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së presidentit deri në publikimin e aktgjykimit. Për këtë, ajo tha se e kishte njoftuar edhe presidenten Vjosa Osmani-Sadriu. Një ditë më pas, më 06.03.2026, presidentja Osmani e shpërndau Kuvendin e Kosovës përmes dekretit.
“… kam vendosur ta shpërndaj Kuvendin dhe të shpall zgjedhjet e reja pas konsultimeve me partitë politike. Natyrisht qytetarët nuk kanë dashur zgjedhje por këtë situatë e ka krijuar Kuvendi që ka dështuar për ta kryer detyrën kushtetuese. Këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme”- deklaroi Osmani më 06.03.2026.
Edhe dekretin e Presidentes, Lëvizja Vetëvendosje e dërgoi në Kushtetuese me arsyetimin se është antikushtetues. Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme e cila do të zgjasë deri më 31.03.2026.
Kjo nënkupton se Osmani nuk mund të shpallë datë për zgjedhje të reja derisa masa është në fuqi, ndërsa Kuvendi nuk mund ta vazhdojë seancën për zgjedhjen e presidentit.
Presidentja i ka ftuar po atë ditë liderët e partive politike për t’u konsultuar në lidhje me datën e zgjedhjeve.
LVV e quajti akt të paprecedent shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës me dekret të Presidentes dhe nuk ka marrë pjesë në takimin e ftuar nga Osmani.
Kryeministri Albin Kurti, në një konferencë për media pas shpërndarjes të Kuvendit nga ana e presidentes Vjosa Osmani, më 06.03.2026, tha se “ndodhemi në një situatë që nuk mund të flasim për zgjedhje të reja, pa e thënë fjalën Gjykata Kushtetuese”.
Ai konsideron se dekreti për shpërndarjen e Kuvendit nuk është kushtetues.


























