Eurokomesarja për zgjerim, Marta Kos ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e prerë të Brukselit se, Maqedonia e Veriut duhet të tregojë vullnet për ndryshim të Kushtetutës që të arrihet përparim në procesin e qasjes drejt BE-së. Gjatë debatit me anëtarët e Komitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, eurokomesarja theksoi kompleksitetin e procesit të zgjerimit, duke potencuar se, nevojiten 150 vendime me konsensus të vendeve të BE-së për fillimin dhe përfundimin e procesit negociues të vetëm një vendi kandidat.
Marta Kos, Eurokomesare për zgjerim
“Shpresoj se, Maqedonia e Veriut do ta përmbushë detyrimin për ndryshimin e Kushtetutës dhe atëherë, jam e sigurt se, sapo të fillojmë të ecim përpara me Maqedoninë e Veriut, gjithashtu edhe me ndihmën e Bullgarisë, do të mund të vazhdojmë në atë rrugë. Duhet të bëhet gjithçka që të shmanget ndikimi i çështjeve bilaterale në negociata. Por, ajo tash më po ndodhë dhe do të ndodhë në të ardhmen, prandaj është detyrë e të gjithëve t’i zgjidhim kur paraqiten”.
Kos tha se, ato vende kandidate për anëtarësim që i zbatojnë reformat e nevojshme duhet të kenë edhe përfitime nga përpjekjet e tyre.
Marta Kos, Eurokomesare për zgjerim
“Zgjerimi sot është më ndryshe se sa që ka qenë para pesë viteve. Ekziston mundësi e jashtëzakonshme për të ecur gjërat përpara në këtë proces. Për herë të parë pas dhjetë viteve, ekziston një perspektivë reale se, gjatë këtij mandati të institucioneve të BE-së mund të sjellim një, dy ose tre vende drejt qëllimit”.
Ajo më tej shtoi se, sundimi i së drejtës dhe respektimi i vlerave themelore janë dhe do të mbeten gur themeli i politikave të zgjerimit, për të cilat tha se, është projekt i gjithë shoqërisë dhe jo vetëm e parlamenteve dhe qeverive të vendeve kandidate për anëtarësim.
Kos paralajmëroi edhe organizimin e ndeshjeve të futbollit, basketbollit dhe hendbollit mes ekipeve të vendeve kandidate dhe vendeve anëtare të BE-së, që do t’i jepte një shtysë të re zgjerimit, përtej negociatave sipas kapitujve dhe grupimeve dhe zbatimit të reformave./shenja