Parlamenti Evropian e ka vendosur në rend dite për seancën plenare të 27 nëntorit votimin për konfirmimin e përbërjes së re të Komisionit Evropian.
Në këtë seancë, përbërjen e re të KE-së para deputetëve evropianë do ta paraqesë Ursula von der Leyen, e cila do të jetë në krye të krahut ekzekutiv të Bashkimit Evropian edhe për një mandat të ri pesëvjeçar.
PE-ja e caktoi 27 nëntorin si datë për votimin e përbërjes së re të KE-së pasi u arrit pajtim mes grupimeve kryesore politike për konfirmimin e të gjithë komisionarëve të propozuar.
Komisionarët e propozuar kanë kaluar nëpër seanca dëgjimore në komisionet përkatëse të PE-së dhe tani secili nga ta ka marrë mbështetjen për të ushtruar detyrën e komisionarit në fushën që është caktuar.
Mospajtimet janë tejkaluar mes tri grupeve proevropiane, Partisë Popullore Evropiane (EPP), që është grupi më i madh, Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) që është grupi i dytë për nga madhësia dhe grupit të liberalëve i cili ka shënuar rënie dhe është grupi i pestë për nga numri i përgjithshëm i deputetëve në PE.
Këto tri grupe së bashku kanë shumicën e mjaftueshme për ta votuar në seancë plenare Komisionin e ri Evropian. Pritet po ashtu që edhe dy grupe tjera, që konsiderohen se janë të ekstremit të djathtë, të votojnë në favor të Komisionit Evropian, pasi në përbërje të tij do të jenë edhe kandidatë nga këto grupe, sikurse Oliver Varhelyi nga Hungaria dhe Raffaelo Fitto nga Italia.
Partia në pushtet në Hungari është pjesë e grupit “Patriotët për Evropën“, ndërsa Partia e kryeministres së Italisë, Georgia Meloni, është pjesë e grupit “Konservatorëtdhe reformistët”.
Burimet e Radios Evropa e Lirë në PE, por edhe në KE, kanë shprehur siguri se më 27 nëntor me shumicën e nevojshme do të votohet përbërja e re e KE-së. Kjo do t’i mundësojë Komisionit të ri që të nisë zyrtarisht mandatin më 1 dhjetor.
Me rajonin e Ballkanit Perëndimor në pesë vjetët e ardhshëm më së shumti do të merren komsionarja e ardhshme për Zgjerim, Marta Kos, nga Sllovenia dhe përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.
Që të dyja, gjatë seancave dëgjimore kanë premtuar se do të angazhohen që në pesë vjetët e ardhshëm zgjerimi i BE-së të bëhet realitet./rel