Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZh), pas analizimit të të dhënave nga arkivat ndërkombëtare me përkrahjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK), ka nisur aktivitetet kërkimore në një lokacion në rajonin e Rahovecit, i njohur në evidencat kadastrale dhe nga komuniteti lokal si ‘Përzhina’, pranë varrezave të qytetit.
Gërmimet, të cilat kanë filluar ditën e djeshme, kanë rezultuar me gjetjen e dy pjesëve ështërore, të cilat janë dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Gjatë ditës së sotme janë gjetur mbetje mortore të të paktën një individi, që mund t’i përkasin viktimave të luftës të përfshira në listën e personave të zhdukur.
Ky proces po realizohet nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, Sektori për Hetimin e Personave të Zhdukur Gjatë Luftës në kuadër të Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, dhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Komisioni njofton se ky lokacion është i fundit që adresohen në kuadër të gërmimeve vlerësuese për vitin 2025.
Një prononcim për media lidhur me ecurinë e aktiviteteve kërkimore në këtë dhe lokacione të tjera do të mbahet të nesërmen, më 19 dhjetor 2025, duke filluar nga ora 11:00, direkt nga lokacioni.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe institucionet e angazhuara në këtë proces theksojnë përkushtimin e tyre për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, duke respektuar ndjeshmërinë e procesit dhe dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre.

























