Boeing do t’i mbyllë 17.000 vende të punës, dhe do ta shtyjë fazën e prodhimit, për t’u përballur me problemet që ka brenda biznesit.
Shefi ekzekutiv i kompanisë, Kelly Ortberg, ka thënë përmes një emaili drejtuar stafit se, pozitat e “shefave, menaxherëve dhe punëtorëve”, janë në rrezik.
Aty punonjësit janë paralajmëruar për humbjet në fushën e prodhimit të armëve dhe pajisjeve ushtarake, dhe që është shtyrë data e dorëzimit të aeroplanëve të llojit 777X.
Këto lajme vijnë teksa biznesi përballet me grevë të punëtorëve, si dhe shqetësime në rritje për kualitetin e aeroplanëve.
Ortberg ka thënë se kompania do të zvogëlojë numrin e punëtorëve në “muajt vijues”.
“Faza në të cilën është biznesi dhe rimëkëmbja jonë në të ardhmen, na detyron të marrim vendime të vështira”, ka thënë Ortberg.
Një grevë e madhe, e zgjatur për një muaj në Boeing, është bërë secilën herë e më e diskutueshme, pasi rreth 33.000 punëtorë kanë kërkuar paga më të mira.
Ndërkohë, agjencia për vlerësime kreditore S&P e ka futur Boeing-un në një grup që sinjalizon se vlera e aeroplanëve mund të zvogëlohet, nëse greva vazhdon.
Kompania veçse është duke u përballur me kritika, pas një incidenti në janar, kur një aeroplan i llojit 737-Max është detyruar të bëjë ulje emergjente, pak pas nisjes, shkruan Radio Evropa e Lirë.Askush nuk është lënduar, mirëpo shefi i atëhershëm i kompanisë, Dave Calhoun, ka thënë se kompania “e pranon gabimin e bërë”./REL