Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se nuk pret që të ketë masa shtesë ndaj Kosovës me mos ecjen para të kërkesës së BE-së për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. “Mua nuk më duket se do të ketë masa shtesë, por çështja është si t’i heqim ato ekzistuese që i kemi.
Kur jemi këtu janë shtuar edhe zëra brenda BE-së që ato masa duhet të hiqen sepse nuk ishin fare produktive në relacion me Kosovën. Masat i kemi tash e një kohë, por rezultatet janë që ne ndodhemi me fjalë të tjera në situatën kur Serbia e ka hedhur poshtë faktikisht marrëveshjen e Ohrit që e konsideron si një tavolinë ku mund të zgjedhë çka të dojë e t’i refuzojë ato pika që janë në favor të interesit të Republikës së Kosovës. Për Serbinë marrëveshje e Ohrit e ka emrin veç Asociacion i Komunave dhe nuk do të zbatojë pika tjera, këtë e ka bërë të ditur letra e Bërnabiqit drejtuar BE-së. Prej atij momenti që është moment politik e deri të sulmi në Banjskë këto ia kanë shpallur vdekjen marrëveshjes së Ohrit. Tash çka është faji i Kosovës këtu. Pse të kemi masa ne? Serbia edhe me veprime politike edhe veprime konkrete të mbështetjes së grupit terrorist të Radoiçiqit na ka dëshmuar që ajo nuk e respekton më Marrëveshjen e Ohrit”, tha Konjufca.