Kryetari në detyrë i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga këshilltari politik, Donik Sallova, po merr pjesë në punimet e Samitit Botëror në Seul të Koresë së Jugut, të organizuar nga Universal Peace Federation.
Në samit po marrin pjesë me dhjetëra kryetarë parlamentesh nga e gjithë bota, si dhe figura të rëndësishme parlamentare.
“Aktiviteti kryesor i samitit ishte themelimi i “Konferencës Ndërparlamentare të Kryetarëve të Kuvendit”, ku Kosova bashkë me shumë parlamente u bë bashkëthemeluese e këtij mekanizmi.
Kjo konferencë ndërparlamentare e kryetarëve do të shërbejë si platformë e nivelit të lartë e përkushtuar për të forcuar bashkëpunimin regjional dhe dialogun ndërmjet liderëve të legjislativit në botë. Mision do ta ketë avancimin e parimeve të ndërvarshmërisë, prosperitetit të përbashkët dhe përhapjen e vlerave të përbashkëta përmes diplomacisë parlamentare”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Konjufca, përveç pjesëmarrjes në themelimin e kësaj konference ndërparlamemtare, mori pjesë edhe në panele të ndryshme diskutimi nga ku paraqiti këndvështrimin e Kosovës kundrejt sfidave që po e ndryshojnë rendin botëror.
Konferenca do të mbyllë punimet nesër.