Konservatori Karol Nawrocki fitoi balotazhin e zgjedhjeve presidenciale të fundjavës në Poloni, sipas numërimit përfundimtar të votave të hënën. Nawrocki fitoi 50.89% të votave në një garë shumë të ngushtë kundër kryetarit liberal të Varshavës, Rafał Trzaskowski, i cili mori 49.11%.
Gara e vuri në pah, që nga raundi i parë i votimit dy javë më parë, përçarje të thella në vend ndërmjet krahut lindor të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, raporton AP.
Rezultati sugjeron që Polonia pritet të ndjekë një rrugë më populiste dhe nacionaliste nën udhëheqjen e saj të re, që u mbështet nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Roli i një presidenti në Poloni
Nawrocki do të pasojë Andrzej Dudën, një konservator, mandati i të cilit përfundon më 6 gusht.
Pushteti, në sistemin politik polak, i takon një kryeministri të zgjedhur nga Parlamenti. Megjithatë, roli i presidentit nuk është thjesht ceremonial. Zyra ka fuqinë për të ndikuar në politikën e jashtme dhe për të vënë veton mbi legjislacionin.
Sipas kushtetutës polake, presidenti shërben një mandat pesëvjeçar dhe mund të rizgjidhet një herë.


























