Pasi është shtyrë raportimi për lejimin e transmetimit të kanaleve të Serbisë, ka nisur diskutimi dhe raportimi nga ARKEP dhe KPM lidhur me dënimet që janë shqiptuar për kabllorët që detyronin qytetarët të mos shkëpusnin kontratat.
Kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Nazim Rahimi ka folur për shkeljen e kushteve të kontratave nga operatorët kabllorë.
Ai ka thënë se më 5 shkurt të këtij viti është miratuar Rregullorja e re që flet për shkëputjen e kontratave në rast se ndryshojnë kushtet e kontratës.
Rahimi ka thënë se konsumatorëve iu ka dhënë e drejta t’i shkëpusin kontratat me operatorët nëse ndryshojnë kushtet e kontratës nga kabllorët.
Ai ka thënë se është formuar një departament në ARKEP që do të merret me konsumatorë dhe me inspektime për të mbrojtur konsumatorët.
Edhe kryetari i Bordit të KPM-së, Jeton Mehmeti, ka thënë se në fillim të këtij viti kanë pranuar 340 ankesa se janë ndryshuar kanalet.
Ai ka thënë se konsumatori duhet të njoftojë 30 ditë më herët nëse ndryshojnë pakon operatorët.
“Nuk e kanë njoftuar KPM-në se nga data 1 janar do të ketë lëvizje të kanaleve… Krejt në fund kemi parë se qytetarëve nuk u është ofruar katalogu i kanaleve. Bazuar në këto tri shkelje, me ç’rast kemi marrë një vendim që këta katër operatorë të shpërndarjes t’i gjobisin me 100 mijë euro”, ka thënë ai.
Më 18 janar, Komisioni i Pavarur i Mediave i kishte dënuar katër shpërndarësit e rrjetit kabllor në Kosovë me 100 mijë euro. Kështu, Artmotion është dënuar me 64 mijë euro, Kujtesa me 26 mijë euro, IPKO me 7 mijë euro dhe Telkos me 3 mijë euro.
Komisioni i Pavarur i Mediave i kishte pranuar ankesat nga qytetarët e pakënaqur me ndryshimin e paparalajmëruar të listës së kanaleve televizive nga operatorët e shpërndarjes.