Me rastin e zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës u mbajt një takim zyrtar gjithëpërfshirës për zbatimin e planit operativ “Zgjedhjet Lokale 2025”.
Në këtë takim morën pjesë edhe Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi dhe Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurorja Laura Pula, si dhe menaxhmenti i lartë, në krye me drejtorin e Përgjithshëm të PK-së kolonel Gazmend Hoxha, drejtorët e departamenteve si dhe udhëheqës e përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare nga KQZ-ja, KFOR-i, EULEX-i, OSBE-ja, zyra e BE-së në Kosovë etj.
“Të pranishmit janë njoftuar lidhur me planifikimet, vlerësimet dhe angazhimet policore, në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, si dhe për bashkërendimin dhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta të parapara sipas marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të institucioneve kompetente vendore, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor”, thuhet në njoftim.
Ndër të tjera pjesë e diskutimit ishte edhe krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt, me qëllim të ushtrimit të së drejtës së votimit të lirë për të gjithë qytetarët,
Prokuroria dhe Policia kanë ritheksuar se çdo vepër penale kundër të drejtës së votës do të ndiqet me përkushtim dhe në përputhje me ligjin.


























