Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Ambasadën e Francës në Prishtinë, organizoi ngjarjen me temë “Trashëgimia Sportive: nga Parisi 2024 drejt Prishtina 2030 – mësime dhe sfida të përbashkëta”, në kuadër të programit zyrtar të Ditëve të Biznesit Francez.
Sipas njoftimit të MKRS-së, qëllimi i aktivitetit ishte nxitja e dialogut strategjik dhe forcimi i harmonizimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe partnerëve francezë, me fokus në zhvillimin e qëndrueshëm dhe organizimin e ngjarjeve të mëdha multi-sportive.
Takimi u hap nga zëvendësministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, dhe ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, të cilët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillimin e infrastrukturës sportive dhe ngritjen e kapaciteteve organizative në Kosovë.
“Pjesë e ngjarjes ishte edhe eksperti i lartë francez, Gerard Wolf, i cili ka pasur rol kyç në organizimin dhe zbatimin e Lojërave Olimpike dhe Paralimpike Paris 2024, duke ndarë përvoja dhe praktika të vlefshme për akterët e përfshirë në organizimin e Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030′”, thuhet tutje në njoftim.


























