Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, së bashku me Komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, gjatë vizitë në SHBA u pritën në takim nga ndihmës-Sekretari i Shtetit, Alexander Kasanof në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, transmeton KosovaPost.
Në takim u ritheksua rëndësia vazhdimit të mbështetjes së diplomacisë amerikane në aspiratën e vendit tonë për integrim në strukturat euro-atlantike, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, në ‘këtë kontekst u diskutua edhe për bashkëzbarkimet e planifikuara të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione ndërkombetare me trupat amerikane, që përveç aspektit të rritjes së ndërveprueshmërisë në aspektin ushtarak, do të ketë ndikim pozitiv edhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë’.
Gjithashtu ministri Ejup Maqedonci, pas pritjes që i është bërë në Departamentin e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara, ka bërë të ditur se është diskutuar për realizimin e marrëveshjes kornizë në fushën e mbrojtjes. E në njoftimin për këtë takim, që e ka bërë Ministria e Mbrojtjes, theksohet se kjo marrëveshje “do të hapë mundësi të reja në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është pritur të martën në Departamentin e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara nga ndihmëssekretari i Mbrojtjes për NATO dhe Evropë, Alton Buland.
Ministri Maqedonci, i cili është i shoqëruar në këtë vizitë edhe nga komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, ka bërë të ditur se në fokus të takimit ka qenë thellimi i bashkëpunimit ndërmjet të dyja shteteve.
“Me z. Buland diskutuam veçanërisht për objektivat e arritura në kuadrin e Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të FSK-së, për rrugën që na pret përpara gjatë fazës së tretë dhe finale të këtij plani dhe për realizimin e marrëveshjes kornizë ndërmjet vendeve tona në fushën e mbrojtjes”, ka shkruar ministri Maqedonci në Facebook.