Komisionet Qendrore Zgjedhore të Kosovës dhe Shqipërisë, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi në Prishtinë.
Nënshkrues të marrëveshjes ishin Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve i Shqipërisë, Ilirjan Celibashi dhe Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Marrëveshja thuhet se ka për qëllim institucionalizimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve, në funksion të rritjes së efiçiencës së punës dhe modernizimit të të gjithë aspekteve të organizimit, menaxhimit dhe administrimit të zgjedhjeve.
“Me synim rritjen e standardeve të proceseve zgjedhore në Shqipëri dhe Kosovë, dy institucionet dakordësuan për të mbështetur njëri-tjetrin me ekspertizë, asistencë teknike dhe logjistike lidhur me votimin nga jashtë, teknologjinë zgjedhore dhe financimin e partive politike. Gjithashtu, do të shkëmbehen praktikat më të mira të strategjive të ndjekura për edukimin e zgjedhësve”, u tha në njoftimin e KQZ-së së Shqipërisë.
Dy KQZ-të u tha se do të vazhdojnë të mbështesin njëra-tjetrën për pjesëmarrje në organizata ndërkombëtare me ekspertizë zgjedhore si dhe në aktivitetet e organizuara prej tyre.