Kombëtarja e Kosova u mund nga Sllovakia me rezultatin 89:78 në parakualifikimet për EuroBasket 2029, të premten në palestrën ‘Sezai Surroi’ në Prizren.
Kosova nisi mirë, duke fituar çerekun e parë 27:18, por Sllovakia reagoi në çerekun e dytë, ku fitoi me 15 pikë diferencë dhe mori kontrollin e lojës.
Kjo ishte përballja e tretë mes dy ekipeve dhe përsëri përfundoi me fitore për sllovakët, favoritë të Grupit C.
Skuadra e Kosovës vuajti mungesën e dy lojtarëve kryesorë, Dardan Berisha dhe Drilon Hajrizi, ndërsa pjesa tjetër e ekipit kryesisht luan në Superligë. I vetmi me përvojë ndërkombëtare ishte amerikan i natyralizuar Divine Myles, që aktivizohet në kategorinë e dytë franceze.
Në anën tjetër, lojtarët amerikanë të Sllovakisë, përfshirë David De Julius, po shkëlqejnë në elitën spanjolle.
Kujtojmë se të dy ekipet kishin regjistruar fitore ndaj Shqipërisë në ndeshjet e mëparshme të grupit në nëntor.


























