Zvicra, Suedia dhe Sllovenia.
Këto janë tri kombëtaret me të cilat Kosova ndeshet në kualifikimet për kampionatin botëror të vitit 2026.
“Dardanët” janë takuar edhe në të kaluarën me këto shtete, por pos me përfaqësuesen helvetike, nuk kanë arritur të marrin pikë as ndaj suedezëve e as ndaj sllovenëve, raporton Klankosova.tv.
Në kuadër të Ligës së Kombeve, më 11 tetor 2020, Sllovenia fitoi 0-1 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me golin e Haris Vuçkiq.
Një muaj më vonë, reprezentacioni kosovar u mposht edhe në Ljubljanë, ani se Vedat Muriqi krijoi epërsi kur realizoi në minutën e 58-të.
Vetëm pesë minuta më vonë, Jasmin Kurtiq barazoi shifrat, për t’i lënë rrugë patriotit të tij, Josip Iliçiq që ta vulos takimin, me realizimin nga penalltia, krejt në fund të ndeshjes.
Dy humbje Kosova i ka edhe në përballjet me Suedinë dhe që të dyja me rezultat 3-0.
Bëhet fjalë për duelet e vlefshme për Kupën e Botës të vitit 2022, njofton Klankosova.tv.
Ludwig Augustinsson, Alexander Isak dhe Sebastian Larsson, shënuan në Prishtinë.
Isak golin e dytë e realizoi ndaj “Dardanëve” edhe në ndeshjen e zhvilluar në “Strawberry Arena” të Solnas, kurse para tij epërsië e krijoi Emil Forsberg teksa vulën takimit ia dha Robin Quaison.
Në kuadër të ballafaqimeve me Zvicren, Kosova të parën përballje me ta e kishte më 29 mars të vitit 2022, miqësore kjo e cila u mbyll me nga një gol të realizuar për të dyja skuadrat përfaqësuese.
Milot Rashica në minutën e 52 dhe Jordan Lotomba në të 61-ën, vendosën shifrat përfundimtare të atij ballafaqimi.
Edhe në kuadër të ndeshjeve zyrtare, “Dardanët” dhe “Helvetikët” i ndanë pikët, njofton Klankosova.tv.
Mbrëmja e nëntë e shtatorit të vitit 2023, kishte rezervuar për tifozët në Prishtinë një super shfaqje futbollistike.
Goli i Remo Freuler, i dha Zvicres avantazhin që në minutën e 14-të, duke rezultuar edhe realizimi i vetëm në pjesën e parë.
Fraksionin e dytë Kosova e nisi fuqishëm, duke kërkuar me çdo kusht barazimin e të cilin e gjeti në minutën e 65-të me anë të Vedat Muriqit.
Mysafirët e rikthyen avantazhin, pas një auto-goli të Amir Rrahmanit, por nuk mundën 1ë të ktheheshin në shtëpi me pikët e plota.
Kjo pasi Meriton Korenica i dha një asistim magjik Muriqit, i cili shënoi për rezultatin përfundimtar, Kosova 2-2 Zvicra.
Nga një pikë këto dy kombëtare e morën edhe në ndeshjen kthyese në Bazel.
Goli i Ruben Vargas nuk i mjaftoi zvicëranëve, pasi Muhamet Hyseni i vendosi shifrat përfundimtare të atij ballafaqimi, 1-1.