Kombëtarja e Kosovës në futsall ka arritur një fitore të rëndësishme në ndeshjen e dytë të kualifikimeve për Euro 2026 në fazën ‘Main Round’, duke e mposhtur Bullgarinë me rezultat të thellë 6:2.
Pas humbjes nga Gjeorgjia në Tbilisi javën e kaluar me rezultat 3:1, “Dardanët” kanë shkëlqyer në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Golat për Kosovën i kanë realizuar Ramadan Alaj, Ylli Mazreku, Shefki Kameri, Drilon Maxharraj, Malush Qerimi dhe Fitim Krasniqi.
Kjo ndeshje ishte pjesë e Grupit 10 të kualifikimeve. Sfidat e ardhshme të Kosovës do të zhvillohen në muajt janar, shkurt dhe prill të vitit të ardhshëm. Më 31 janar, Kosova pret Francën në Prishtinë, ndërsa më 4 shkurt do të udhëtojë për përballjen e kthimit ndaj tyre.
Në prill, “Dardanët” do të përballen me Gjeorgjinë më 11 prill në shtëpi dhe do ta mbyllin ciklin kualifikues më 16 prill në udhëtim ndaj Bullgarisë.