Kosova është renditur në grupin A të vendeve lidere në qeverisje digjitale, sipas Indeksit të Bankës Botërore për Maturitet të Teknologjisë Qeveritare (GTMI), ka bërë të ditur kryeministri Albin Kurti. Ky rezultat e vendos vendin tonë ndër shtetet me nivel të lartë të digjitalizimit në shërbimet publike.
Rezultatet e publikuara tregojnë progres të konsiderueshëm gjatë tre viteve të fundit në 48 indikatorë kyç që mbulojnë fusha si: sistemet kryesore qeveritare, shtytësit e digjitalizimit, përfshirja e qytetarëve dhe ofrimi i shërbimeve publike. Në vitin 2020, Kosova ishte në grupin C, ndërsa në vitin 2022 u kategorizua në grupin B. Tani, vendi ynë ka arritur grupin A.
Kryeministri Kurti thekson se avancimi në indeksin GTMI reflekton përparimin e Kosovës në ofrimin e shërbimeve elektronike, zbatimin e reformave për teknologjitë kryesore, qeverisjen e të dhënave, zhvillimin e shkathtësive digjitale në administratën publike dhe qasjen e koordinuar mbarëqeveritare ndaj transformimit digjital.

























