Nga Valbona Tela
Nëntorin e para gjashtë vjetëve, presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, takoi presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në Forumin e Paqes në Paris.
Ishte takimi i parë mes tyre ndonjëherë dhe, sipas një postimi që bëri Thaçi atëkohë në Twitter, ai u fokusua në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti i Kosovës citoi homologun rus të ketë thënë qartazi se Rusia do ta mbështeste një marrëveshje të paqes midis dy vendeve.
Rusia – aleate e Serbisë – nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall në vitin 2008, dhe Putin e përdor atë dhe ndërhyrjen e NATO-s në ish-Jugosllavi si “precedentë” për t’i legjitimuar veprimet e veta në Ukrainë.
Kur nisi pushtimin në shkallë të plotë të këtij vendi, më 24 shkurt të vitit 2022, Putin tha se “ky operacion i posaçëm ushtarak” ndjek shumë shembuj të tjerë.
“Fillimisht, një operacion i përgjakshëm ushtarak u zhvillua kundër Beogradit, pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por me avionë luftarakë dhe raketa, të përdorura në zemër të Evropës. Bombardimi i qyteteve paqësore dhe i infrastrukturës jetike vazhdoi për disa javë”, tha Putin.
Krahasime të tilla – sipas Perëndimit pa vend – Putin bëri vazhdimisht, sidomos nga 2014-ta e këndej. Kur aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë, dhjetë vjet më parë, ai e krahasoi atë me pavarësinë e Kosovës nga Serbia.
Prej vitesh, Rusia u angazhua edhe në luftë hibride kundër Kosovës, duke përhapur informacione të rreme.
Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës për masat e ndërmarra kundër dezinformimit rus dhe a planifikon të reja, por nuk mori përgjigje.
Stradner thotë, po ashtu, se Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm.
“Ne nuk do ta bënim këtë bisedë sot nëse Kosova ose aleatët e Kosovës do të bënin një punë fantastike. Propaganda ruse është e gjithanshme në rajon dhe është duke u rritur. Unë nuk arrij t’i ndjek llogaritë në Telegram sesa shpejt që shfaqen”, thotë ajo.
Adresimi i kësaj problematike, sipas saj, bëhet edhe më urgjent në kohën kur Shtetet e Bashkuara po përgatiten për një administratë të re, të udhëhequr nga presidenti i zgjedhur, Donald Trump.
Ajo beson se administrata e ardhshme do të ndjekë një politikë transaksionale, apo ‘shit e blej’, në Ballkanin Perëndimor.
“Unë dyshoj se fokusimi te çështjet ekonomike do t’i zgjidhë të gjitha. Ajo çfarë do t’i rekomandoja administratës së re, nëse vërtet do që të parandalojë ndonjë përshkallëzim të mëtejshëm, është t’i kushtojë më shumë vëmendje rajonit [të Ballkanit Perëndimor] dhe të mos bie pre e lojërave që vijnë nga Moska dhe Beogradi”, thotë Stradner.
Këtë javë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi se do të vizitojë Moskën në maj të vitit të ardhshëm, me ftesë të homologut rus, Putin.
Ai tha se e konsideron si “nder të madh” pjesëmarrjen në festimet për 80-vjetorin e fitores në Luftën e Dytë Botërore.
Kjo do të jetë vizita e tij e parë në Moskë, prej se Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës, gati tre vjet më parë.
Serbia nuk iu bashkua kurrë sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë, për shkak të kësaj lufte, dhe vazhdoi bashkëpunimin ekonomik dhe ushtarak me Moskën.
Në Kosovë, Rusia ka një zyrë ndërlidhëse, të cilën REL-i e kontaktoi për të mësuar më shumë për aktivitetet e saj, por pa sukses.
Sipas një ankete që publikoi këtë vit Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI), për qytetarët e Kosovës, Rusia mbetet kërcënimi kryesor për vendin, pas Serbisë.
Ish-presidenti Thaçi mund të ketë shpresuar se Putin është i interesuar për paqen, por duket se ai e ka versionin e vet të saj, i cili përqendrohet në nxitjen e tensioneve dhe përfitimin prej tyre.
Për ekspertët është imperative që Kosova të zhvillojë një strategji proaktive kundër ndikimit rus dhe t’i forcojë marrëdhëniet me aleatët perëndimorë.