Po vazhdojnë punimet e Konferencës Ndërkombëtare të ICPA-së, e cila po mbahet në Singapor. Në këtë konferencë po marrin pjesë drejtorë ekzekutivë, profesionistë dhe ekspertë të shërbimeve korrektuese nga e gjithë bota.
Pjesë e kësaj konference është edhe Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, i cili zhvilloi takime të rëndësishme me Peter Severin, President i ICPA-së, Natalie Boal, Drejtoreshë Ekzekutive, si dhe homologë e përfaqësues nga shumë shtete të ndryshme të botës si: SHBA, Turqia, Singapori, Franca, Belgjika, Filipinet, Maldivet, Indonezia, etj.
Gjatë këtyre takimeve u diskutuan temat kryesore që lidhen me të ardhmen e shërbimeve korrektuese në nivel global.
Sipas njoftimit të SHKK-së, në këtë konferencë, këshilltari Global i ICITAP-it për Kundërterrorizëm, Bill Sage, prezantoi Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe Njësinë e Inteligjencës së këtij shërbimi si një model suksesi.
“Ai vlerësoi arritjet e njësisë në rritjen e ndjeshme të nivelit të sigurisë, duke e përshkruar atë si një histori suksesi dhe një shembull të mirë për rajonin dhe më gjerë”, thuhet në njoftim.
SHKK thotë se konferenca po shërben si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e ideve dhe përvojave ndërkombëtare në fushën e shërbimeve korrektuese, duke nxjerrë në pah rolin e Kosovës si një kontribues i rëndësishëm në këtë sektor.
SHKK ka falënderuar Ambasadën Amerikane (INL dhe ICITAP) për mbështetjen e vazhdueshme dhe asistencën e ofruar nga zyrtarët e lartë Bill Sage dhe Frenk Karam.