Kombëtarja e Kosovës U16 në futboll ka përfunduar turneun zhvillimor të UEFA-s të mbajtur në Tiranë, duke e përmbyllur garën me tre fitore radhazi dhe duke e fituar trofeun e kampiones.
Në ndeshjen e fundit, të zhvilluar të premten pasdite, Kosova U16 ka triumfuar ndaj Shqipërisë U16 me rezultat 2:1.
Golat për “Dardanët” e rinj janë shënuar nga Unejs Mustafa në minutën e dhjetë dhe Leon Ademi në minutën e shtatëmbëdhjetë, duke i dhënë epërsinë vendimtare ekipit kosovar.
Ky sukses erdhi pas dy fitoreve paraprake: 7:0 ndaj San Marinos dhe 2:1 ndaj Andorrës, duke e vendosur Kosovën bindshëm në krye të turneut.


























