Kosova udhëheq për herë të parë takimin e ministrave të bujqësisë në Berlin

Me afro 60 shtete pjesëmarrëse, të përfaqësuara nga ministra, zëvendësministra, sekretarë shtetërorë dhe liderë kyç global të sektorit të bujqësisë, Republika e Kosovës ishte pjesë e Forumit Global për Ushqim dhe Bujqësi (GFFA), të mbajtur në Berlin të Gjermanisë. Në këtë forum, Kosova u përfaqësua nga ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi, i shoqëruar nga delegacioni i MBPZhR-së.

 

Në një njoftim të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural bëhet me dije se gjatë këtij Forumi, në kuadër të Grupit Teknik për Zhvillim Rajonal dhe Rural në Evropën Juglindore (SWG), për herë të parë Republika e Kosovës e udhëhoqi takimin e ministrave të bujqësisë të Evropës Juglindore, duke konfirmuar rolin e saj gjithnjë e më aktiv dhe vleror në bashkëpunimin rajonal dhe proceset integruese evropiane.

“Si ministër në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, gjatë adresimeve të mia theksova se Republika e Kosovës është e përkushtuar në përmbushjen e kritereve për integrim në Bashkimin Evropian, përmes reformave të vazhdueshme, përafrimit të politikave dhe legjislacionit me standardet e BE-së, si dhe ndërtimit të një sektori bujqësor modern, të qëndrueshëm dhe në përputhje me nevojat e shoqërisë sonë”, tha ministri në detyrë, Imri Demelezi, thuhet në njoftim.

Me këtë rast, ai tregoi se për tri ditë intensive, bashkë me delegacionin nga MBPZhR zhvilluan dhjetëra takime bilaterale dhe në margjinat e konferencës me partnerë strategjikë, përfshirë ministrat homologë të Kroacisë, Bullgarisë, Hungarisë, si dhe Bankën Botërore, Organizatën Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO).

“Në fokus ishin investimet në siguri ushqimore, ujitje dhe infrastrukturë, rritja e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë, standardet veterinare, mbrojtja nga reshjet atmosferike, digjitalizimi i bujqësisë, resurset njerëzore dhe përafrimi me politikat e Bashkimit Evropian”, theksoi Demelezi.

Ndër tjerash, ministri Demelezi shtoi se edhe njëherë Republika e Kosovës konfirmoi përkushtimin për reforma dhe bashkëpunim ndërkombëtar, duke u dëshmuar si partner i besueshëm rajonal dhe evropian për zhvillim, investime dhe siguri ushqimore.

Republika e Kosovës falënderon shtetet mike, përfshirë Gjermaninë, që përmes GFFA-së mundësojnë vlerësimin pozitiv dhe promovimin e Kosovës përmes dhe gjatë konferencave të tilla.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish