Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka ndaluar hyrjen për 3 vjet në Kosovë dy serbëve të cilët u arrestuan më herët për organizimin e trazirave në veri që ndodhën në fund të majit 2023, transmeton Anadolu.
Siç bëhet e ditur në një njoftim për media, Gjykata e Prishtinës shpalli fajtorë Sinisha Jevtiqin dhe Ivan Sekuliqin, pasi pranuan fajësinë në seancën që u mbajt të mërkurën.
Sipas njoftimit, Sinisha Jevtiq u dënua me burgim prej 6 muajsh për veprën penale të pjesëmarrjes në turma që kryejnë vepra penale dhe huliganizmi, derisa dënimi me burg do të zëvendësohet në dënim me gjobë, në lartësi prej 7 mijë eurosh.
Ndërkohë Ivan Sekuliq për veprën penale të pjesëmarrjes në turmë që kryejnë vepra penale dhe huliganizmi u dënua me burgim prej 6 muajsh, i cili po ashtu do të i kthehet në gjobë. Kurse për armëmbajtje pa leje u dënua me gjobë në shumë prej 2 mijë eurosh. Atij i është shqiptuar dënimi unik me gjobë prej 9 mijë euro.
“Të dyve gjykata ua shqiptoi dënimet plotësuese – dëbimi nga territori i Kosovës dhe ndalim hyrje në territorin e Kosovës për 3 vite. Gjithashtu u urdhërua konfiskimi i sendeve të sekuestruara në kohën e kryerjes së veprës penale”, thuhet në njoftim.
Në maj të këtij viti në komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe, qytetarët serbë protestuan për të kundërshtuar ushtrimin e detyrës së kryetarëve të rinj shqiptarë të këtyre komunave, derisa protestat eskaluan në dhunë.


























