Alpinistë nga Klubi Alpin Prishtina (KAP) të veshur si “superheronj” filmash vizatimorë, janë lëshuar me litarë nga ndërtesa e Spitalit Pediatrik të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), duke befasuar me dhurata fëmijët të cilët po trajtohen në këtë spital.
Kjo ngjarje, e cila organizua nga “Care for Kosovo Kids” në bashkëpunim me alpinistët e KAP-it, u bë me qëllim të vetëdijesimit për ngritjen e fondeve mbi nevojat e pacientëve të vegjël me kancer të cilët janë në pediatri.
Superheronjtë si “Hulk”, “Superman”, “Batman”, “Gorilla” dhe “Spiderman” u lëshuan me litarë nga ndërtesa disakatëshe e pediatrisë duke i përshëndetur fëmijët të cilët ishin brenda dhe jashtë spitalit.
Berat Kajtazi, i veshur si superhero, tha për Anadolu se edhe ai vetë është prind dhe ka marrë pjesë në këtë ngjarje për herë të katërt me radhë.
Ai tha se është një ndjenjë shumë e mirë që me këtë kontribut solid t’u kthehet buzëqeshja fëmijëve në pediatri.
“Ka qenë hera e parë që ma ka dhënë një emocion të jashtëzakonshëm dhe ta them të drejtën çdo vit mezi pres të vij. Është një emocion shumë i mirë. Kushdo me çfarëdo që mund të ndihmojë, qoftë në aspektin financiar, qoftë me prezencë, të vijë t’i shohë fëmijët duke buzëqeshur, është i mirëseardhur dhe duhet ta provojnë këtë emocion”, theksoi Kajtazi.
Pas përfundimit të shfaqjes nga “superheronjtë”, dhjetëra fëmijë pranuan dhurata të ndryshme nga organizatorët.
Organizata “Care for Kosovo Kids” që nga viti 2013 siguron të gjitha barnat për fëmijët që janë të shtrirë në QKUK me lloje të ndryshme të kancerit.
Në Kosovë, çdo vit diagnostikohen rreth 50 raste të reja të fëmijëve me kancer.