Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka paraqitur në Kuvend dorëheqjen e tij dhe të kabinetit qeveritar, me të cilin ka udhëhequr nga 11 janari i vitit 2022.
Dorëheqja e Kovaçevskit bazohet në Ligjin për zgjedhje dhe punën e Qeverisë, me qëllim formimin e Qeverisë teknike, e cila do të funksionojë 100 ditë, apo deri në zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen më 8 maj.
Mediat në Maqedonin e Veriut raportojnë se gjatë dorëzimit të dorëheqjes në Kuvend, Kovaçevski ka thënë se ai sërish do të kthehet në këtë post, pas zgjedhjeve parlamentare.
“Më 9 maj Qeveria sërish do të udhëhiqet nga unë sikur edhe shumica parlamentare, e cila do të sigurojë anëtarësimin e plotë të Maqedonisë së Veriut në BE deri në vitin 2030”, ka deklaruar Kovaçevski, i cili është edhe kryetar i Lidhjes Social Demokrate.
Ai ka theksuar se zgjedhjet e 8 majit do të jenë “betejë mes partive politike që favorizojnë orientimin perëndimor të shtetit, dhe partive politike që janë për një orientim të qartë lindor të vendit”.
Qeveria teknike, e cila pritet të votohet më 28 janar, do të udhëhiqet nga Talat Xhaferi, që vjen nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), i cili gjatë ditës së hënë po ashtu dorëhiqet nga posti i kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Postin e kryekuvendarit pritet ta marrë Jovan Mitrevski nga LSDM-ja, i cili edhe do të përgatisë seancën për zgjedhjen e qeverisë së re. Pjesë e Qeverisë teknike do të jetë edhe opozita maqedonase, bazuar në Ligjin për zgjedhje, me qëllim organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
VMRO DPMNE-ja do të udhëheqë dy ministri, atë për Punë të Brendshme dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, si dhe me tri poste të zëvendësministrave, me kompetenca të veçanta.
Kryetari i saj, Hristijan Mickoski, ka thënë se partia e tij mbetet në qëndrimin për të mos votuar për Talat Xhaferin për kryeministër të Qeverisë teknike. Por, mosvotimi i deputetëve të opozitës nuk e pengon formimin e qeverisë së re, meqë shumica parlamentare ka numrin e nevojshëm prej 61 votash për miratimin e qeverisë së re.