KPM takoi ekipin e misionit vëzhgues të BE-së për Zgjedhjet 2025

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), sot ka pritur në takim një ekip të ekspertëve të Bashkimit Evropian në kuadër të Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve 2025.

Ky ekip i përbërë nga Agnes Doka, Eirini Skouzou dhe Constantin Marza u prit nga Kryetari i KPM-së Jeton Mehmeti.

Kryetari Mehmeti tha se ky takim është vazhdim i bashkëpunimit në mes KPM-së dhe Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve e që KPM ka gatishmërinë të vazhdojë edhe më tutje deri në përfundimin e mandatit të këtij misioni.

Mehmeti njoftoi ekipin e BE-së rreth përgatitjeve të KPM-së për monitorimin e mediave gjatë procesit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet nacionale 2025.

Sa i përket rekomandimeve të raportit të zgjedhjeve të kaluara, KPM i ka adresuar të gjitha rekomandimet, për më tepër është avancuar korniza ligjore, ku është miratuar Rregullorja KPM-2024/03 për obligimet e mediave gjatë fushatës zgjedhore.

“Kjo rregullore që rrjedh nga Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, përcakton obligimet e mediave sa i përket mbulimit të fushatës zgjedhore në mënyrë të drejtë, të balancuar dhe të barabartë për të gjitha subjektet politike. Në kuadër të përgatitjeve të përgjithshme për procesin zgjedhor, KPM ka miratuar Planin e Veprimit për monitorimin e mediave gjatë zgjedhjeve të përgjithshme. Plani i veprimit është i ndarë në tri pjesë që përfshinë aktivitetet e planifikuara para fillimit të fushatës zgjedhore, gjatë fushatës zgjedhore dhe pas fushatës zgjedhore. Periudha para fushatës zgjedhore përfshinë aktivitetet e KPM-së në hartimin e rregullores për sjelljen e mediave gjatë fushatës dhe heshtjes zgjedhore, si obligim i paraparë në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme të miratuar në vitin 2023. Kjo periudhë përfshinë edhe aktivitetet që kanë të bëjnë me komunikimin dhe sensibilizimin e të licencuarve të KPM-së me qëllim të njoftimit rreth obligimeve të mediave gjatë këtij procesi. Në zbatim të këtij plani, KPM ka njoftuar të licencuarit rreth ndryshimeve në Ligjin për Zgjedhje dhe obligimet e mediave gjatë këtij procesi zgjedhor”, ”, thuhet në komunikatën e KPM-së.

Po ashtu ekipi i BE-së, është njoftuar se fushata e informimit ka përfshirë njoftimet e bëra përmes faqes zyrtare të KPM, përmes komunikimit zyrtar me email dhe në takimet regjionale me të licencuarit e KPM-së, ku takime janë mbajtur në Prishtinë, Prizren, Gjilan, Pejë dhe Mitrovicë.

Ndërsa nga ana Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve u tha se janë në Kosovë për të vlerësuar gjendjen aktuale dhe për të përcjellë punën rreth zgjedhjeve që do të mbahen në shkurt 2025.

Në përfundim të takimit, nga ana e KPM-së u shpreh edhe një herë gatishmëria për të avancuar bashkëpunimin me misionet e Bashkimit Evropian, me qëllim të ngritjes në nivel sa më të lartë të procesit të monitorimit të mediave, me theks të veçantë gjatë procesit zgjedhor.

Në fund të takimit, ekipi i Misionit Vëzhgues të BE-së ka parë për së afërmi procesin e monitorimit të fushatës në media që po bëhen nga monitoruesit e KPM-s.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish

Tjera nga rubrika