Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është mbledhur sot për të diskutuar lidhur me procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve në katër komunat e veriut të Kosovës. Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.
KQZ ka miratuar procedurat e votimit dhe numërimit, ka shqyrtuar dhe miratuar format zgjedhore si dhe anëtarët e këshillave të vendvotimeve.
Në fillim të mbledhjes, KQZ mori vendim për akreditimin e grupit të dytë prej 112 vëzhguesve, të cilët do të mund të përcjellin nga afër procesin e votimit më 21 prill dhe procedurat tjera deri në certifikimin e rezultatit përfundimtar.
Numri i vëzhguesve të akredituar deri më tani nga KQZ është 130, të cilët përfaqësojnë media, organizata jo-qeveritare vendore dhe përfaqësi diplomatike në Kosovë.