Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka pezulluar dy subjekte politike, Partinë Socialdemokrate (PSD) dhe Lëvizjen për Bashkëveprim, për shkak të mos mbajtjes së kuvendeve zgjedhore brenda afatit ligjor.
Deri te pezullimi ka ardhur me rekomandim të Zyrës për regjistrimin, certifikimin dhe kontrollin financiar të partive politike (ZRCKFPP), pasi që afati i fundit për mbajtjen e kuvendit zgjedhor për Lëvizjen për Bashkëveprim ka qenë data 8 dhjetor 2023, ndërsa për PSD-në më 15 dhjetor 2023.
“Rekomandimi i dytë i radhës është rekomandimi për pezullimin e partisë politike Partia Socialdemokrate, me akronimin PSD. Po ashtu kjo parti politike e regjistruar ka qenë e obliguar ta mbajë kuvendin e radhës më datën 15 dhjetor 2023, e cila nuk e ka mbajtur me këtë datë. Zyra më datën 18 dhjetor 2023 e ka përgatitur rekomandimin dhe e ka dërguar te KQZ për shqyrtim të saj…Po ashtu rekomandojmë që të pezullohet PSD dhe njëherësh ta obligojë partinë politike që brenda afatit prej 45 ditësh ta mbajë kuvendin zgjedhor…Data e mbajtjes më 15 dhjetor, më datën 12 dhjetor 2023, tri ditë para se të mbajë kuvendin kjo parti politike e ka bërë një kërkesë – vetëm ka kërkuar që duan ta mbajnë kuvendin më datën 28 janar. Po ashtu, e kemi trajtuar kërkesën e saj”, tha Buzhala.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, të gjitha partitë politike të regjistruara janë të obliguara që të mbajnë kuvendin zgjedhor brenda 6 muajve nga data e regjistrimit dhe pastaj së paku çdo 48 muaj.