Niveli i manganit në liqenin e Badocit, pak kilometra larg Prishtinës, është rritur këtë tetor, njëjtë sikurse vitin e kaluar.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës rekomandoi që uji i rrjedhshëm të mos përdoret për pije, e as për gatim.
Kjo vërejtje vlen për pjesën më të madhe të kryeqendrës së Kosovës dhe të fshatrave përreth saj.
Megjithatë, uji nga ky liqen mund të përdoret për pastrim dhe mirëmbajtje të higjienës, tha IKShPK-ja.
Ekspertët sqaruan se rritja e niveleve të manganit ndodh zakonisht kur ndërrohen stinët.
Çfarë është mangani?
Mangani konsiderohet lëndë ushqyese thelbësore dhe kontribuon në shumë funksione trupore, përfshirë metabolizmin e kolesterolit, të glukozës e të karbohidrateve, në formim të kockave, në mpiksjen e gjakut, dhe në reduktimin e inflamacionit.
Por, kur sasia teprohet, sikurse me gjithçka tjetër, e mira bëhet e dëmshme.
Nga rritja e vlerave të manganit rrezikohen më së shumti fëmijët nën 5 vjeç.
Sipas Departamentit të Shëndetësisë në Minesota të Shteteve të Bashkuara, kur fëmijët dhe të rriturit pinë ujë me nivele të larta mangani për kohë të gjatë, ata mund të përballen me probleme me kujtesë, përqendrim dhe aftësi motorike.
Sa kushton uji?
Në tarifat e vendosura nga Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit, për vitin 2024, një metër kub ujë në Prishtinë kushton 44 centë për konsumatorët shtëpiakë, ndërsa 67 centë për konsumatorët komercialë dhe institucionalë.
Nëpër dyqane, çmimi i ujit dallon varësisht se kush e prodhon atë.
Çmimet variojnë prej 1.35 euro për 10 litra ujë, e më lart.
Në të kaluarën, qytetarët janë ankuar se blerja e ujit ua ka çrregulluar buxhetet mujore.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” pati nxjerrë disa autobote me ujë nëpër lagje të ndryshme, për t’ua lehtësuar banorëve furnizimin me ujë.
Autoboti është automjet i pajisur me fuçi të madhe, që shërben për bartjen e ujit dhe lëngjeve tjera.
Nuk dihet nëse kështu do të veprohet edhe këtë vit, pasi nuk dihet edhe për sa kohë do të qëndrojnë të rritura vlerat e manganit./ REL