Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha në Kotorr të Malit të Zi ishte pjesë e tryezës bashkë me shefa policie nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Takimi u organizua dhe u mbështet nga projekti EU4FAST i Bashkimit Evropian, i cili synon parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz dhe kontrabandës me migrantë.
Sipas Policisë, fokusi kryesor i këtij takimi ishte forcimi i koordinimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar policor ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe agjencive të sigurisë si Europol, Frontex, Interpol etj.
“Gjatë këtij aktiviteti u bë edhe përurimi i Qendrës së Bashkëpunimit Ndërkombëtar 24/7 në Policinë e Malit të Zi, e cila është mundësuar dhe është mbështetur nga projekti EU4FAST. Po ashtu, shefat e policive pjesëmarrëse dhanë zotime për fuqizimin e pikave të vetme të kontaktit 24/7 për bashkëpunim ndërkombëtar policor, si dhe për rritjen e ndërlidhshmërisë dhe ndërveprueshmërisë së bazave të të dhënave përmes kanaleve të sigurisë dhe komunikimit ndërkombëtar”, njofton PK-ja.
Kanë thënë se Policia e Kosovës vazhdon të japë një kontribut të rëndësishëm në luftimin e krimit ndërkombëtar, duke vepruar si një partner i besueshëm dhe aktiv në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe më gjerë.
Angazhimin e kanë quajtur dëshmi të përkushtimit për ruajtjen e sigurisë, rendit dhe ligjshmërisë në rajon dhe më tej.