Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, vizituan sot Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.
Kryeministri Albin Kurti u njoftua për së afërmi me arritjet, sfidat, projektet konkrete zhvillimore të infrastrukturës së rrjetit të ujësjellësit.
Ministrja Artane Rizvanolli ka thënë se KRU “Prishtina” si ndërmarrje përgjatë tre viteve të fundit ka pasur përmirësime të shumta në shumë aspekte.
“Duke përfshirë edhe për kushtet për punëtorët, mirëpo edhe rritjen e fitimit nga humbja tre nga katër vitet paraprake, në vitin 2022 ka pasur një fitim mbi 300 mijë euro, ndërsa sivjet fitimi do të tejkalojë 600 mijë euro, sigurisht që si kompani publike ne nuk presim nga kompanitë tona nuk e kanë mision parësore fitimin financiar mirëpo për ne është një shenjë që pasuria publike po menaxhohet me zell dhe me ndershmërinë dhe menaxhohet në mënyrë të mirë, sigurisht krijon kushte për më shumë investime. Kompaninë e kemi gjetur me opinion të kundërtën të Auditorit do të thotë me pasqyra financiare që nuk konsiderohet të besueshme, ndërsa në dy vitet e fundit kjo është përmirësuar në opinion të kualifikuara dhe presim që vitin tjetër të përmirësohet edhe më tej”, tha Rizvanolli.
Rizvanolli thekson ndërmarrjen se menaxhon shumë projekte të mëdha dhe ka bërë shumë investime në objektin e ujësjellësit duke përfshirë edhe investimet e përkrahura nga Qeveria.
“Në projektet e ndryshme duke filluara nga rehabilitim dhe ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit në fshatin Artanë, Bellopojë, Llugë, Orllan e rrethinë në Komunën e Podujevës. Dhe investimet që kanë filluar së fundmi në rrjetin e ujësjellësit në Fushë-Kosovë, që janë shumë të rëndësishme dhe për herë të parë do t’iu shërbejë dhjetëra me ujë të pijshëm”, tha ajo.
Arsim Fetahu, kryeshef ekzekutiv në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, tha se kjo kompani ndodhet në fazën më të mirë të realizimit të projektit të investimeve kapitale në sferën e ujërave të ujit të pijshëm.
“Ishte kënaqësi t’i njoftojmë progresin dhe të arriturat që ka pasur ndërmarrja jonë. Është e vërtetë që vitet e fundit kemi një zhvillim dhe një ngritje në vlerën mbi 100 për qind. Jemi shumë në fazë të mirë të realizimit të projektit investive kapitale qoftë në sferën e urave të ujit të pijshëm, por edhe në pjesën e ujërave të pijshëm, por edhe në pjesën e ujërave të ndotura. Jemi vetëm në një projekt i cili pritet të jetë zgjidhje për ujërat e ndotura për Prishtinën, Graqanicën, Fushë-Kosovën dhe Obiliqin, vlera e tij e kalon vlerën 230 milionë”, ka thënë ai.
Kryeministri KURTI falënderoi kryeshefin ekzekutiv z.Fetahu duke motivuar edhe tërë stafin e KRU “Prishtina” për punën e shkëlqyeshme që po e bëjnë.