Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, ka shpallur se marrëdhënia e vjetër mes Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara, e bazuar në thellimin e integrimit të ekonomive dhe bashkëpunimin e ngushtë ushtarak, ka përfunduar.
Ai theksoi se Kanadaja duhet të “riimagjinojë thelbësisht ekonominë e saj” përballë tarifave të reja të vendosura nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Siç raporton BBC, Carney bëri një deklaratë të ashpër ndaj masave të SHBA-së, duke thënë se Kanadaja do të përgjigjet me tarifa hakmarrëse që do të kenë “ndikimin maksimal” në ekonominë amerikane. Ky reagim ka ardhur pas vendosjes nga Trump të një takse prej 25% për automjetet dhe pjesët e automjeteve të importuara nga vendet e tjera. Carney theksoi gjithashtu se marrëveshja për Produktet Automobilistike mes Kanadasë dhe SHBA-së, e nënshkruar në vitin 1965, është shpallur e përfunduar për shkak të tarifave të reja.
Kryeministri kanadez u shpreh se Kanadaja është e gatshme të qëndrojë përballë këtyre tarifave dhe të ruajë industrinë e saj automobilistike, por për këtë, qeveria dhe bizneset duhet të punojnë së bashku për të “riimagjinuar” dhe “ristrukturuar” industrinë.
Lideri i Partisë Konservatore, Pierre Poilievre, dhe lideri i Partisë NDP, Jagmeet Singh, e kritikuan ashpër vendimin e SHBA-së, duke i quajtur tarifat “të padrejta dhe të pabazuara”, duke e quajtur veprimin e Trump një “luftë tregtare të paligjshme ndaj Kanadasë”. Ata kërkuan që çdo kompani automobilistike që zhvendos prodhimin jashtë Kanadasë për shkak të tarifave, të ndalohet të shesë automjete në Kanada.
Në mes të tensioneve, Carney ka ndërprerë fushatën elektorale për të diskutuar mundësitë e reagimit ndaj masave të Trumpit, pasi zgjedhjet e përgjithshme në Kanada do të zhvillohen më 28 prill. Tarifat për automjetet do të hyjnë në fuqi më 2 prill, dhe ato për pjesët e automjeteve do të fillojnë në maj ose më vonë, shkruan BBC.