Kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë shënimit të ceremonisë së Ditës së Forcës së Sigurisë, ku u njoh me ekspozimin e pajisjeve të armatimit dhe detyrat e FSK-së, para gazetarëve tha se FSK është forcë e bashkimit dhe krenarisë sonë.
Ai tutje theksoi se kjo ditë është ditë gëzimi, ku në të njëjtën kohë përkujtohen atë që sakrifikuan për këtë ditë.
Kryeministri Kurti foli për përkushtimin e qeverisë së tij përmes Ministrisë së Mbrojtjes, në rritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ,në më pak se tre vjet ka bërë më shumë se dyfishim të buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes, ka bërë gati trefishim të investimeve në armatim dhe më shumë se katërfishim të trajnimeve dhe shkollimeve të oficerëve dhe ushtarëve tanë jashtë vendit, ku për më pak se 32 muaj kemi dërguar për shkollim 3459 ushtarë e oficerë jashtë vendit”, deklaroi kryeministri Kurti
Kryeministri Kurti theksoi se FSK është trashëgimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Osmani: FSK e gatshme të bashkohet në aleancën e NATO-s
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, gjatë shënimit të ceremonisë së Ditës së Forcës së Sigurisë, ku u njoh me ekspozimin e pajisjeve të armatimit dhe detyrat e FSK-së, para gazetarëve tha se kjo është ditë kur me shumë krenari e kujtojmë sakrificën e madhe të popullit dhe ushtrisë sonë çlirimtare për të ardhur deri në këtë ditë.
Ajo më tej tha se është derdhur shumë gjak që Kosova ta ketë ushtrinë e saj, derisa u shpreh e bindur se secili pjesëtar i ushtrisë e mban këtë formë me krenari dhe, në rast nevoje është i gatshëm ta japë edhe jetën.
“Sot Forca e Sigurisë është forcë e trajnuar në bazë të standardeve më të larta të NATO-s. Forcë e cila jep kontribut për paqe e siguri dhe rajon, por edhe përtej, duke shërbyer bashkë me forcat ushtarake amerikane, të Britanisë së Madhe dhe me ushtritë tjera aleate në vendet e ndryshme të botës në misione paqeruajtëse. Kështu ajo ka dëshmuar se është e gatshme të bashkohet me ushtritë tjera aleate në aleancën e NATO-s”, deklaroi presidentja Osmani.
Ajo, si Komandante Supreme e FSK-së bëri të ditur se në çdo cep të botës shihen me admirim sukseset e kësaj ushtrie, për çka është ndier jashtëzakonisht krenare për këtë.
Presidentja Osmani tha se së bashku me institucionet tjera do të punojmë në mënyrë që të “krijohen kushte edhe më të volitshme, qofshin ato të mirëqenies, qofshin ato të trajnimeve dhe shkollimit shtesë, qofshin ato shëndetësore në mënyrë që çdo ushtar a ushtare e ushtrisë të ketë më shumë prosperitet, më shumë vullnet e motiv që të kontribuojë për ushtrinë tonë dhe për vendin tonë”.
Presidentja e vendit tha se së bashku me kryeministrin, ministrin e Mbrojtjes dhe komandantin e FSK-së janë vazhdimisht në koordinim në mënyrë që ushtria jonë të arrijë edhe në maja më të larta.