Kryeministri i vendit, Albin Kurti e ka kujtuar aktivistin boshnjak Shefko Sallkoviq në 14-vjetorin e vrasjes së tij në Leposaviq.
Kurti përmes një postimi në “Facebook” shkroi për ngjarjen që thotë se ishte “një sulm që synonte përhapjen e frikës dhe panikut tek ata që përpiqeshin të integroheshin në institucionet e Kosovës, veçanërisht në komunat veriore të banuara kryesisht nga serbë”.
“Shefko Sallkoviq ishte aktivist boshnjak që tregonte lojalitet ndaj Republikës së Kosovës dhe njihej për angazhimin e tij në proceset zgjedhore e përfaqësimin e komunitetit në zonën e Leposaviqit. Për Serbinë, kjo ishte e papranueshme, dhe u bë shkas që 14 vjet më parë, më 8 dhjetor 2010, Shefko Sallkoviq, të vritej në fshatin Podstenje, në Leposaviq. Përgjegjësinë, e mori fillimisht formacioni paraushtarak “Beli Orlovi” (Shqiponjat e Bardha) nga Serbia”.
“Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00, katër ditë para zgjedhjeve të parakohshme të 12 dhjetorit 2010, në të cilat Sallkoviq ka qenë dhe komisioner i koalicionit pjesëmarrës në ato zgjedhje, “Vakat”. Në pritën e ngritur nga kryesit e sulmit, mbeti i plagosur edhe Edin Islamoviq, i cili ndodhej në veturë me Shefkon, por arriti të kërcejë në Ibër pas të shtënave. Edinin kanë tentuar ta vrasin edhe deri sa po qëndronte i shtrirë në QKUK. Edini ka mbetur invalid dhe lëvizë me karrocë”, shkroi Kurti.