Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në një takim drejtoren e NATO-s për Operacione, Charlotte Hallengren, transmeton KosovaPost.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti shprehu falënderime për angazhimin e NATO-s për paqen, sigurinë dhe stabilitetin, si dhe për rolin e rëndësishëm të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT) për Ministrinë e Mbrojtjes si organ kyç ndërlidhës dhe këshillues i aleancës veri-atlantike në Kosovë.
Në kuadër të thellimit të bashkëpunimit, kryeministri Kurti foli për mundësitë që pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) të ndjekin trajnime ushtarake edukuese dhe profesionale në institucionet e NATO-s. Po ashtu, për rritjen e kapaciteteve të FSK-së në përputhje me standardet e aleancës veri-atlantike.
Kryeministri Kurti tha se FSK ka demonstruar performancë të lartë në misionet ndërkombëtare, përfshirë bashkë-zbarkimet në Kuvajt, Belize dhe Ishujt Falkland, si dhe misionin në Turqi.
Ai po ashtu theksoi se aktualisht është duke u përgatitur për misionin në Gaza, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, ndërsa përmendi edhe trajnimet për personelin ukrainas për deminim dhe misione të kërkim-shpëtimit.
Ai theksoi se Kosova është e përcaktuar, e angazhuar dhe e përkushtuar në rrugën e saj për integrim në NATO.
Hallengren, nga ana e saj, e falënderoi kryeministrin Kurti për bashkëpunimin dhe bashkërendimin e ngushtë, si dhe vlerësoi lartë vendimin për angazhimin e FSK-së në misionin stabilizues në Gaza.


























