I pari Lëvizjes Vetëvendosje, aktualisht kryeminsitr i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka ndarë një hartë elektorale pas certifikimit të zgjedhjeve parlamentare, duke e cilësuar si një udhërrëfyes për përgatitjet e zgjedhjeve lokale që priten në vjeshtë.
“Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare, kështu duken renditjet dhe përqindjet e subjekteve nëpër komuna. Hartë që duhet të na shërbejë edhe në përgatitjet për zgjedhjet lokale në vjeshtë”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit nëpër komuna janë të rëndësishme për analizë dhe strategji në garën e ardhshme për pushtetin lokal.
Në hartën e publikuar nga Kurti, LVV ka dalë e para në 21 komuna, e ndjekur nga Lista Serbe në 10 komuna. PDK dhe AAK kanë fituar secila nga tri komuna.
Pavarësisht këtij rezultati në zgjedhjet parlamentare, aktualisht LDK qeverisë në 9 komuna, PDK në 8, AAK në 5 dhe LVV në vetëm 4 komuna. Nisma qeverisë me Malishevën, ndërsa 11 komuna tjera drejtohen nga partitë e komuniteteve pakicë.
Publikimi i kësaj harte vjen si sinjal për një përgatitje më të organizuar të LVV-së për zgjedhjet lokale, ku pritet një garë e ashpër për pushtetin në nivel komunal.