Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vendosur të shtojë numrin e drejtorive në Komunën e Prishtinës, duke e çuar atë nga 16 në 17, në kundërshtim të plotë me Statutin e Komunës dhe vendimin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).
Përparim Rama ka ndarë sërish Drejtorinë e Kadastrës nga ajo e Pronës.
Ai ka emëruar Vigan Kastratin e LDK-së në pozitën e Drejtorit për Kadastër në Komunën e Prishtinës këtë e ka konfirmuar Kastrati me mjë postim në rrjetin social Facebook.
“Me propozim të kryetarit të Komunës së Prishtinës z.Përparim Rama, jam emëruar në pozitën e Drejtorit për Kadastër në Komunën e Prishtinës. Besimi që më është dhënë nga kryetari Rama për mua është një privilegj, por në anën tjetër është edhe një përgjegjësi para qytetarëve të Prishtinës. Unë si drejtor do të jem në shërbim të të gjithë qytetarëve të Prishtinës, duke ditur se detyra ime e re kërkon një angazhim shtesë, e që unë ashtu siç kam vepruar edhe më parë, do të jem i pakursyer në shërbim të qytetarëve”, ka shkruar Kastrati.
Drejtor i Pronës është emëruar Brahim Mehmetaj nga AAK-ja.
Rama në shkurt të vitit të kaluar pati njoftuar se ka vendosur që Drejtoria e Pronës dhe Drejtoria e Kadastrës të shkrihen në një Drejtori të Pronës dhe Kadastrës.
Deri tani drejtoreshë e Pronës dhe Kadastrës ka qenë Doruntinë Maloku, e cila është shkarkuar nga Rama, në fund të dhjetorit të kaluar.
Në fillim të mandatit, Rama kishte bashkuar Drejtorinë e Pronës me Drejtorinë e Kadastrit, duke e emëruar Dorontin Malokun si drejtues. Por, pas shkarkimit të Malokut, këto drejtori janë ndarë sërish në dy, me Brahim Mehmetajn të AAK-së në krye të Drejtorisë së Pronës dhe tash me Vigan Kastratin e LDK-së në krye të Kadastrit.
Statuti i Komunës së Prishtinës, i miratuar në vitin 2010, përcakton qartë se kryeqyteti duhet të ketë vetëm 11 drejtori. Çdo ndryshim në numrin e drejtorive kërkon amendimin e Statutit nga Kuvendi Komunal me shumicë prej 2/3 të votave. Mirëpo, Rama ka shmangur këtë procedurë ligjore, duke themeluar drejtori të reja pa ndryshuar Statutin.