Këshilli i Sigurimit të OKB-së pritet të votojë këtë të mërkurë mbi dy projektrezoluta konkurruese lidhur me luftën në Iran dhe ndikimin e saj në rajon.
Rezoluta e parë është propozuar nga vendet e Gjirit dhe dënon sulmet e Iranit ndaj tyre dhe Jordanisë.
Ndërkohë, Rusia (aleate e Iranit në Këshillin e Sigurimit) ka paraqitur një draft alternativ. Ky tekst nuk përmend drejtpërdrejt Iranin, Izraelin apo Shtetet e Bashkuara, por dënon të gjitha sulmet kundër civilëve dhe u bën thirrje palëve të përfshira të ndalojnë luftimet dhe të rikthehen në negociata.
Kjo është nisma e parë konkrete që shqyrtohet nga Këshilli që pas mbledhjes urgjente të mbajtur menjëherë pas shpërthimit të konfliktit.
Ambasadori i Iranit në OKB, Amir Saeid Iravani, ka kritikuar vendet e Gjirit, duke i akuzuar se po përpiqen të përmbysin rolet e agresorit dhe viktimës përmes një teksti që ai e cilësoi si të njëanshëm dhe të motivuar politikisht.
Draft-rezoluta tashmë ka më shumë se 90 sponsorë, përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar. Ajo kërkon ndërprerjen e menjëhershme të të gjitha sulmeve dhe kërcënimeve nga Irani ndaj gjashtë vendeve të Gjirit dhe Jordanisë, përfshirë edhe veprimet e kryera përmes ndërmjetësve.
Po ashtu, dokumenti dënon çdo veprim ose kërcënim nga Teherani për mbylljen apo ndërhyrjen në lundrimin ndërkombëtar përmes Ngushticës së Hormuzit, një rrugë detare me rëndësi jetike për tregtinë globale.


























