“Alban Bujari, fotoreporteri i së vërtetës”. Kështu u quajt përkujtimi për fotoreporterin i cili u shndërrua në dokumentuesin e luftës dhe të paqes.
Në mbledhjen komemorative në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, Bujari u kujtua si njeriu fisnik i cili ishte fjalë pak, por punë shumë.
“Albani s’ishte nga ata që veç e përjetuan lirinë e Kosovës, por edhe e ndihmuan. Ai ishte aty me aparatin e tij duke regjistruar dhe dëshmuar rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, rrugëtimin pjesë e së cilit ishte ai vet”, ka thënë themeluesi i grupit Koha, Veton Surroi.
Në minutat e dokumentarit që u shfaq gjatë kësaj mbledhje komemorative Alban Bujari u shfaq me aparatin e tij në duar, përherë në kërkim të dokumentimit të së vërtetës. Aty u tha se qindra imazhe nga lufta mbajnë vulën e autorësisë së tij dhe se nga shkrepjet e tij, bota e kuptoi mizorinë që po ndodhte në Kosovë.
Ndër fotografitë e tij më të dalluara ishin ato nga Masakra e Çirezit dhe Likoshanit, krimi ndaj familjes Jashari, masakra e Reçakut dhe ajo e Rogovës.
Gjatë asaj periudhe, puna e Albanit u botua në mediat më prestigjoze ndërkombëtare, si “Time”, “Sunday Time”, “The Independent”, “The Guardian”, “El Pais”, “Fokus”, “Suddeutche”, “Zeitung”, “Kyoto News”, e plot të tjera.
Alban Bujari u nda nga jeta më 28 shkurt, në moshën 55-vjeçare, derisa punonte në Koha Ditore.