Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vlerësuar lart rolin e Doganës së Kosovës, në ceremoninë e diplomimit të oficerëve të rinj doganorë dhe në shënimin e 26-vjetorit të themelimit të këtij institucioni.
Në fjalën e tij, Kurti theksoi se Dogana e Kosovës ka qenë më shumë se një institucion fiskal.
“Ka qenë shtyllë e mbrojtjes së sovranitetit shtetëror, një mekanizëm i domosdoshëm për sigurinë ekonomike dhe një vijë e parë kundër kontrabandës, korrupsionit dhe krimit të organizuar”, deklaroi ai.
Kurti kujtoi rrugën e vështirë që ka kaluar Dogana në këto 26 vite, përfshirë vitet pas luftës, sfidat për konsolidimin e kufijve, si dhe sulmet në veri të vendit, ku pikat doganore janë djegur dhe shkatërruar nga grupe kriminale të mbështetura nga Serbia.
Ai nderoi sakrificën e oficerëve policorë që kanë dhënë jetën në krye të detyrës. “Do të kujtojmë gjithmonë heronjtë tanë: Enver Zymberi dhe rreshter Afrim Bunjaku”, tha ai.
Duke folur për rezultatet e punës së Doganës, Kurti theksoi se nën qeverisjen e tij janë ndërmarrë hapa të qarta për forcimin e rendit dhe ligjit në të gjithë territorin, përfshirë edhe veriun e Mitrovicës.
“Rezultatet janë të dukshme kemi rritje të ndjeshme të konfiskimeve, kontroll më të madh në kufij dhe të hyra rekord për shtetin”, shtoi ai.


























