Kurti e Rizvanolli në Podujevë, përurojnë investimet në efiçiencë

Kryeministri në detyrë,Albin Kurti bashkë me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli,morën pjesë në ceremoninë e përurimit të investimeve në efiçiencë të energjisë në Shkollën e Mesme Ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë.

 

Kreu në detyrë i Qeverisë, tha se kjo është një shkollë e madhe me rreth 1 mijë nxënës dhe rreth 100 mësimdhënës të cilët, siç tha ai, tash do t’i kenë kushtet moderne për mësimdhënie e mësimnxënie.

“Bëhet fjalë për 4 shkolla në Podujeve në të cilat kemi  investuar si Qeveri e Republikës, 750 mijë euro por edhe po që gjithsej 1, 5 milion edhe me mbështetjen e BE-së. Synimi ynë është që sa më shumë fëmijët, nxënësit, rinia të kenë kushtet për arsimim cilësor, dhe në këtë mënyrë të përgatiten për avancimet e tyre në karrierë, për përparimin e ngritjen e tyre profesionale e personale dhe kësisoj t’i kontribuojnë edhe vetës, familjes, shtetit e ekonomisë sonë”, deklaroi Kurti.

Kjo shkollë është një ndër katër shkollat në komunën e Podujevës që po përfitojnë nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, pjesë e një projekti që mbulon gjithsej 17 shkolla në katër komuna të ndryshme.

Në konferencën për media, Rizvanolli theksoi rëndësinë e këtyre investimeve.

“Shkolla Isa Boletini është një ndër 4 shkollat në të cilat po investojmë për të rritur efiçiencën e energjisë. Punimet kanë filluar rreth një vit më parë dhe kanë përfunduar me saktësi. Falënderoj Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, kryetarin, drejtorin e shkollës, mësimdhënësit dhe nxënësit për bashkëpunimin dhe durimin gjatë këtij procesi”, tha ministrja.

Ajo shtoi se kursimi i energjisë dhe rritja e efiçiencës janë shtylla kryesore të strategjisë së energjisë së Qeverisë.

“Kjo na mundëson të kemi faturat më të ulëta, të përmirësojmë kushtet për nxënësit dhe mësimdhënësit, por edhe për qytetarët në të gjithë vendin. Gjatë mandatit tonë kemi investuar rreth 42 milionë euro në përmirësimin e efiçiencës së energjisë elektrike në ndërtesa publike, banesa për familjet në nevojë dhe shtëpi individuale”, tha Rizvanolli.

Ndërkohë, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se tashmë shkolla është pothuajse e re, pas investimeve aty.

“Tashmë po shohim që kemi një shkollë pothuajse të re që është investuar në kuptimin e izolimit. Dua të shfrytëzoj nga rasti të falënderoj kryeministrin Kurti, ministren Rizvanolli, por edhe Fondin Kosovar për Efiçiencë të Energjisë për investimet që janë bërë. Deri më tash kemi investime në sektorin e arsimit në vlerë prej 1, 5 milion euro”, tha ai.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish