Në nderim të 14 vjetorit të rënies së Heroit Enver Zymeri dhe Ditës Memoriale të zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, bënë homazhe te Lapidari i Policëve të Rënë, në oborrin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Prishtinë.
Në homazhet shtetërore mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili ka theksuar se Policia e Kosovës është forcë multietnike që u sulmua shpesh, por gjithnjë doli fitimtare.
Kurti, për rënien heroike të Enver Zymberit dhe Afrim Bunjakut, ka deklaruar se dhanë jetën duke mbrojtur sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, rendin, ligjin, paqen dhe sigurinë në veri të vendit.
“Bëmë nderime këtu te lapidari i policëve të rënë në detyrë 24 gjithsej ne Kosovën e pasluftës, duke filluar nga Lazim Rexhepi në vitin 2001 e deri së fundmi te Muhamet Lika në vitin 2025. Me këtë rast dua të theksoj heroin tonë Enver Zymberin dhe po ashtu Afrim Bunjakun që ranë në krye të detyrës duke mbrojtur sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, rendin, ligjin, paqen dhe sigurinë në veri të Kosovës. Dita Memoriale është e lidhur pikërisht me rënien heroike të Enver Zymberit në vitin 2011, më 26 korrik, me ç’rast kemi dhimbje e pikëllim, kemi shumë mall por në të njëjtën kohë kemi edhe krenari, sepse Policia e Kosovës është një forcë prej 10 mijë pjesëtarëve të cilët i dalin zot Republikës sonë”, ka theksuar Kurti.
Gjatë ditës, do të mbahen homazhe pranë varrit të Heroit Afrim Bunjaku si dhe vizitë në familjen e tij. Po ashtu, janë paraparë homazhe pranë varrit të Heroit Enver Zymeri, vizitë në familjen e tij dhe nderime pranë lapidarit në vendin e rënies së tij.
Ceremonitë përkujtimore përmbyllen në orën 17:00 me pritjen zyrtare të marshuesve në Qendrën për Trajnim për Kërkim-Shpëtim “Berim” në Zubin Potok – Ujman.


























