Rritja ekonomike, koalicioni zgjedhor me Guxo e Alternativën e deri te thirrjet ndërkombëtare për pozicionin e tyre karshi Serbisë kanë qenë pjesë e fjalimit të kryeministrit Albin Kurti, gjatë Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Perëndimit i bëjmë thirrje që Serbisë t’i kushtëzohen benefitet aktuale jo vetëm ato të ardhshme nga BE, Amerika e Mbretëria e Bashkuar. Duhet të sanksionohen ata që bashkëpunojnë me personat qe ndodhen në listë të zezë në Ballkan. Kjo lista e zezë me emrat e kriminelëve duhet të japë rezultate”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se regjimi i Aleksandër Vuçiqit po e keqpërdor situatën, duke sjellë artileri brenda rripit prej 5 kilometrave afër kufirit Kosovë-Serbi.
“Sulmet që na bëjnë janë dëshmi e suksesit tonë. Përpjekja e tyre për një makinë kohore që i kthen para vitit 1999, para 2008, a para 2021 është shprehje e karakterit revizionist të regjimit në Serbi dhe kjo gjen mbështetje te kushtetuta agresive e Serbisë. Ajo duhet të ndryshojë. Të gjitha angazhimet tona nuk janë të bazuara thjesht në vullnet të popullit e në ligj por edhe në vlerat demokratike”, ka vazhduar Kurti.