Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka kërkuar falje nxënësve të klasës 7/1 të shkollës fillore “Ali Hadri” në Podujevë për faktin që e ka zgjidhur gabimisht një ekuacion matematikor.
Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ai shprehet se tash është i gëzuar që nuk ishte nxënës në atë çast, sepse nuk do të merrte notë kaluese.
“Ju kërkoj falje. Zgjidhja e atij ekuacioni, ashtu qysh ju e dini më mirë se kryeministri i juaj, është x=0”, shkroi i pari i qeverisë, i cili derisa ishte në shkollë e kishte shkruar zgjidhjen e detyrës matematikore me rezultatin x=5.
“Ekuacioni i thjeshtë matematikor mu duk që në sekondën e parë që e ka zgjidhjen x=5; pra pesë, porsi pesëshet që ua dëshiroj juve. Po të mendoja pak, do ta shihja që zgjidhja e saktë është x=0, por në atë rast, nuk besoj që do të merrja mundin të merrja shkumësin e të shkruaja në dërrasën e klasës suaj”, shtoi kryeministri Kurti.