Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Lista Serbe është pengesa më e madhe e integrimit të vërtetë të serbëve në Kosovë, raporton Anadolu, transmeton KosovaPost.
Nëpërmjet një konference të jashtëzakonshme për media, Kurti tha se moscertifikimi i partisë më të madhe nga radhët e komunitetit serb, Listës Serbe, nuk ishte në dorën e Lëvizjes Vetëvendosje, ngase nga 11 anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, partia e tij ka vetëm dy anëtarë.
Rrjedhimisht, Kurti tha se askush nuk mund të presë që qëndrimi i anëtarëve të Vetëvendosjes në KQZ të ishte më ndryshe.
“Unë besoj se Lista Serbe është pengesa më e madhe për integrimin e vërtetë të serbëve në Kosovë. Prej djegies së veturave e pronave tek rrahja brutale e serbëve që po integrohen në Kosovë e deri tek ngacmimet, kërcënimet, shantazhet që u bëhen serbëve në Kosovë. Që të gjitha këto e mbajnë edhe nënshkrimin edhe vulën e Listës Serbe”, theksoi Kurti.
Kurti tha se për aq kohë sa Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe i akuzuar për terrorizëm, nuk dorëzohet tek autoritet kosovare, Lista Serbe do të jetë krahu i Milan Radoiçiqit.
Kurti tutje tha se partitë opozitare, të cilat e krijuan Listën Serbe dhe “e përkëdhelën në pushtet”, tani nuk e mbështetën në certifikim këtë parti, duke shtuar se “Vetëvendosje është adresa e gabuar për këto diskutime”.
– “Sulmi terrorist në Ibër-Lepenc i orkestruar nga Milan Radoiçiq”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet konferencës tha se sulmi në infrastrukturën vitale të Kosovës, në Ibër-Lepenc, më 29 nëntor 2024, ishte i orkestruar nga Milan Radoiçiq.
Ai shpalosi një kronologji të ngjarjeve me të dhëna, sipas të cilave, prapa sulmit në Ibër-Lepenc qëndron “Serbia me kriminelët e saj, e para se gjithash grupi terrorist i udhëhequr nga Milan Radoiçiq”.
“Dy orë para sulmit në Ibër-Lepenc, Radoiçiq u takua me Listën Serbe”, theksoi Kurti.
Sipas Kurtit, pas sulmit në Ibër-Lepenc, Radoiçiq tek rrethi i afërt i tij ka shprehur pakënaqësinë për sulmin, pasi pritjet e tij ishin që kanali të defunksionalizohej totalisht.
Kurti ngriti shqetësimin se sulme të tilla mund të ndodhin edhe para dhe pas vitit të ri. Ai shtoi se këto grupe i bëjnë dëm Kosovës por nuk do të mund kurrë që ta cenojnë sigurinë e vendit.