Kurti: Lufta çlirimtare e Kosovës, rezultat i sakrificës së shumë brezave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se dje, në përvjetorin e protestave studentore të vitit 1981, të cilat më pas u shndërruan në demonstrata gjithëpopullore, ka zhvilluar një vizitë te veprimtari i çështjes kombëtare, Mehmet Hajrizi.

 

Sipas Kurtit, Hajrizi nuk është vetëm një veprimtar i njohur politik, por edhe pjesë e një familjeje që ka qenë e përfshirë në aktivizëm politik dhe e përndjekur nga regjimi serb që nga vitet ’20 të shekullit të kaluar.

Ai ka shkruar në Facebook se Hajrizi për 15 vjet punoi në arsim, duke edukuar breza të tërë nxënësish. Sipas tij një nga momentet më të rënda të jetës së tij ishte arrestimi në sallën e mësimit, para nxënësve të tij. Ky ishte arrestimi i tij i dytë, pasi për herë të parë ishte arrestuar në vitin 1979.

“Në fillim të viteve ’70 u formua organizata ilegale “Grupi Revolucionar i Kosovës”, një ndër organizatat më serioze dhe më jetëgjata të lëvizjes së asaj kohe. Fillimisht ajo u udhëhoq për një vit nga Kadri Osmani, ndërsa për tetë vjet të tjerë nga Mehmet Hajrizi. Më vonë, ai së bashku me bashkëpunëtorët e tij mori pjesë në themelimin e shtypit të parë klandestin shqiptar. Ai shërbeu edhe si kryeredaktor në disa botime ilegale si “Zëri i Kosovës”, “Pararoja”, “Liria” dhe “Këngët e lirisë”, si dhe në shumë trakte politike që përhapën frymën e rezistencës dhe kërkesat për liri, drejtësi, Republikë dhe bashkim kombëtar”, ka shkruar Kurti.

Mehmet Hajrizi u arrestua më 18 dhjetor 1981 dhe më 10 korrik 1982, bashkë me një grup veprimtarësh, u dënua me 12 vjet burg të rëndë. Pas arrestimit të tij, udhëheqjen e organizatës e mori Kadri Zeka, i cili u vra një vit më vonë së bashku me Jusuf Gërvalla dhe Bardhosh Gërvalla.

Kurti theksoi se lufta çlirimtare e fundit në Kosovë ishte rezultat i përpjekjeve të shumë brezave që ndër vite u angazhuan për liri dhe avancimin e çështjes kombëtare. Sipas tij, ngjarjet e mëdha historike janë rezultat i një pune të përditshme dhe të vazhdueshme që organizimet politike dhe populli i Kosovës kanë bërë ndër vite.

Në fund, ai shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan për liri dhe bashkim kombëtar.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish