Kryeministri, Albin Kurti ka pritur në takim anëtarin e Dhomës së Lordëve, Lord Cromëell dhe deputetin e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Martin Vickers.
Kryeministria ka bërë të ditur se gjatë takimit, u diskutua për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar dhe te mundësitë që Kosova ofron për investime dhe investitorë të huaj. Po ashtu, bëhet e ditur se pjesë e diskutimit ishte edhe siguria në rajon dhe në kontinent.
“Kryeministri i falënderoi për vizitën dhe urimet, si dhe për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre në fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ai shprehu mirënjohje për rolin historik dhe kontributin e çmueshëm të Mbretërisë së Bashkuar në çlirimin, pavarësimin, shtetndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se në këtë takim kryeministri i ka treguar mysafirëve prioritetet e Qeverisë. “Veçanërisht projektet e mëdha infrastrukturore të parapara për këtë mandat të ri, investimet kapitale që do të tejkalojnë vlerën prej 1 miliard euro në vit, si investimet në siguri dhe mbrojtje”.
Kryeministria thotë se Kurti nga dy zyrtarët e lartë anglez mori urime për përvjetgorin e pavarësisë si dhe mandatin e ri qeverisës.


























