Në shënim të 25-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, Albin Kurti, me dy ministrat e tij mori pjesë në një demonstrim të përgatitjeve dhe aftësive të njësive elite të policisë, transmeton KosovaPost.
Në njoftimin për media, thuhet se KurtI aty pa nga afër pajisjet taktike, mjetet e punës dhe përgatitjet profesionale të njësive elite të Policisë në përballje me çdo rrezik.
Me këtë rast ai i falënderoi pjesëtarët e policisë për demonstrimin e përgatitjeve profesionale dhe të aftësive të jashtëzakonshme në mbrojtjen e personaliteteve shtetërore dhe në përballje me turma që mund të synojnë destabilzimin e vendit tonë e të rendit kushtetues e juridik.
“Sot me rastin e 25-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës ne jemi krenarë që ju kemi juve për punën e shërbimin që keni bërë, për kontributin që keni dhënë deri në sakrificë, e ku para së gjithash e mbi të gjitha kujtojmë e përkujtojmë 23 heronjtë e Kosovës nga radhët e policisë tonë”, tha Kurti, duke shtuar se ky demonstrim i të gjitha njësive të specializuara të policisë sonë që nga mbrojtja e afërt e deri te Njësiti K9, padyshim që e ngjallë besueshmërinë tek të gjithë njerëzit dhe e rritë atë për të gjithë ata të cilët tashmë e kanë pasur.
Po ashtu, Kurti tha se Policia e Kosovës është më e afta, më e disiplinuara dhe më profesionalja jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.
Duke shprehur mirënjohjen e përzemërt dhe falënderimin e thellë, kryeministri Kurti u uroi edhe një herë të gjithë pjesëtarëve të policisë 25-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës.
Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, nënkryetarja e Kuvendit të Republikës, Saranda Bogujevci, dhe drejtues dhe përfaqësues tjerë institucionalë.