Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në 75-vjetorin e Themelimit të Arkivit të Kosovës. I shoqëruar nga ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, dhe ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, kryeministri Kurti tha se ky përvjetor nuk është thjesht një shënjim i kohës, por dëshmi e një rrugëtimi të gjatë me përkushtim për ruajtjen e kujtesës sonë kolektive.
“Për shtatë dekada e gjysmë arkivat kanë qenë më shumë se një institucion, ato kanë qenë mbrojtës të së vërtetës historike dhe të ruajtjes së identitetit tonë kombëtar e shtetëror. Në fondet e tyre ruhen dokumente të cilat dëshmojnë historinë, sfidat dhe arritjet tona të përbashkëta si shoqëri”, tha kryeministri dhe shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që ndër vite kanë kontribuar në ndërtimin dhe zhvillimin e këtij institucioni.
Ai më tej shtoi se një zhvillim i veçantë është digjitalizimi masiv i materialit arkivor, i cili ka mundësuar ruajtje më të sigurt dhe qasje më të lehtë për qytetarët dhe studiuesit. Në të njëjtën kohë lansimi i sistemit elektronik për menaxhimin e materialit arkivor ka shënuar një hap të rëndësishëm drejt modernizimit dhe rritjes së efikasitetit institucional.
“Arkivat siç e dimë të gjithë janë gardianët e trashëgimisë dokumentare. Ato janë kujtesa e shkruar e shtetit dhe e shoqërisë sonë, një pasuri që duhet ruajtur, kultivuar dhe transmetuar me përgjegjësi të plotë te brezat që vijnë pas nesh”, vlerësoi kryeministri dhe shtoi se gjersa festojmë këtë 75-vjetor, riafirmojmë dedikimin tonë për ta mbështetur edhe më tej këtë institucion jetik, meqenëse investimi në arkiva është investim në të vërtetë faktike, në kujtesën historike dhe qëndrueshmërinë shtetërore.



























