Kryeministri Albin Kurti ka qëndruar sot në Kamenicë, ku ka zhvilluar një takim me profesionistë nga fusha e mjekësisë dhe arsimit, duke shpalosur planet dhe prioritetet e Qeverisë për këto dy sektorë kyç.
Gjatë fjalës së tij, Kurti theksoi se investimet në shëndetësi do të vazhdojnë me ndërtimin e spitaleve dhe poliklinikave të reja, ndërsa paralajmëroi se brenda vitit të ardhshëm çdo qytetar do të përfitojë kontroll të plotë mjekësor. Ai bëri të ditur gjithashtu se buxheti për listën e barnave esenciale do të rritet deri në 100 milionë euro, ku rreth 80 për qind e kostos do të mbulohet nga shteti.
“Në këtë mënyrë synojmë të lehtësojmë barrën financiare për qytetarët dhe të përmirësojmë qasjen në shërbime shëndetësore cilësore”, u shpreh Kurti.
Sa i përket arsimit, kryeministri njoftoi rritje të investimeve për çerdhet, shkollat dhe universitetet, si dhe shtim të mbështetjes për studentët përmes dyfishimit të buxhetit për bursa. Ai theksoi se fokusi do të jetë në përmirësimin e cilësisë së arsimit të mesëm dhe ndërlidhjen e tij me të ardhmen profesionale të të rinjve.
Po ashtu, Kurti bëri të ditur se arsimit dual do t’i shtohen 10 profile të reja, ndërsa do të krijohet një platformë me profile vetjake për secilin të diplomuar, me qëllim të lehtësimit të qasjes në tregun e punës.
Takimi në Kamenicë u vlerësua si një hap i rëndësishëm për dialogun me profesionistët dhe për adresimin e nevojave konkrete në shëndetësi dhe arsim.


























